Rezultatet e provimeve me zgjedhje 2010
July 16, 2010 ne LAJME nga Kli$$i
Ministria e Arsimit bëri publike sot rezultatet e 33.187 studentëve që u testuan në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2010, më 16 korrik të këtij viti.
Sipas burimeve zyrtare nga MASH, pas njohjes me këto rezultate, maturantët do të nisin procedurat e aplikimit për të drejta studimi në universitet.
Maturantët duhet të përzgjedhin duke nisur nga 22 korriku, dhjetë preferenca në formularin A 2, ku janë të listuara më shumë se 225 programet që do të ofrojnë universitetet publike për vitin e ri akademik.
“Renditja e preferencave duhet të bëhet me rend zbritës, duke filluar nga dega më e preferuar e deri tek ajo më pak e pëlqyera”, thanë burime nga MASH.
Sipas tyre, përcaktimi i kandidatëve fitues bëhet pas llogaritjes së pikëve përkatëse për të dhjetë preferencat e listuara në formularin A2. Shpërndarja e formularit të preferencave do të kalojë nga APRIAL-i, drejt drejtorive arsimore, të cilat do t’i kalojnë më pas në shkollat përkatëse.
Sipas rregullores së hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit, maturantët do të kenë një afat kohor prej dy javësh për plotësimin dhe dorëzimin e këtyre formularëve.
Procedura duhet të realizohet edhe nga kandidatët që do të aplikojnë për ndjekjen e akademive, sportive apo artistike, për të cilat konkursi i pranimit do të zhvillohet në fillim të shtatorit.
Specialistët thanë se gjatë renditjes së degëve për fakultetet, kandidatët që do të respektojnë profilin e shkollës së mesme në përcaktimin e degëve mund të grumbullojnë më shumë pikë, sesa po të listojnë degë të profilit të kundërt.
Sipas rregullores së provimit, përcaktohet se mundësia për të mbledhur më shumë pikë krijohet jo vetëm nga zgjedhja e programeve të afërta të studimit, por dhe nga lloji i koeficientit.
Nëse maturantët do të zgjedhin programet e përafërta për të vijuar studimet e larta, atëherë edhe koeficientët që do të hyjnë në përllogaritje do të jenë më të lartë, e cila rrjedhimisht mbledh më shumë pikë në dispozicion të kandidatit.
Nxënësi që ka mbaruar profilin shoqëror dhe zgjedh degë të po këtij profili, do të ketë koeficient më të lartë në përllogaritje, sesa po të zgjidhte si programe studimi ato të profilit natyror.
Renditja e fituesve edhe për vitin e ardhshëm akademik do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2), ku Ksh është koeficienti i shkollës, K1 është koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje dhe secili nxënës mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë duke njohur vlerësimet e veta (parashikimet), pra duke vetëvlerësuar veten.
Renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit që kanë si kusht edhe konkursin e veçantë, si Arkitektura, Edukimi Fizik, degët e Akademisë së Arteve, renditja e fituesve do të bëhet me një tjetër formulë.
Për këto raste merren parasysh në vlerësim edhe pikët e konkursit
Provimet_zgjidhje_Notat_Z1Z2_2010
Për më shumë klikono këtu për te parë listën e notave




